Dije te imagjinuara

Postuar në Tetor 10, 2008 nga

7



Marre nga xhaxhai.

E kam ndjekur me kërshëri pritjen që u ka bërë opinioni publik lajmeve për përshpejtuesin LHC (Large Hadron Collider, ose Goditësi i Madh i Hadroneve), afër Gjenevës, në Zvicër.

Ky përshpejtues është, në thelb, një tunel në trajtë kamerdareje biçiklete, me gjerësi prej 3.8 metrash dhe perimetër prej 27 km, i gërmuar në një zonë shkëmbore midis Zvicrës dhe Francës. Tuneli shërben për të përshpejtuar protone deri në shpejtësi të afërta me shpejtësinë e dritës, dhe pastaj për t’i përplasur këto protone të përshpejtuara me njëri-tjetrin. Qëllimi i këtyre eksperimenteve me përplasje është që të verifikohen disa hipoteza në lëmin e fizikës së grimcave subatomike, si dhe të tjera hipoteza dhe teori të fizikës kuantike.

Artan Boriçi, një fizikant shqiptar që është përfshirë në projekt, e përshkruan kështu qëllimin e eksperimenteve që do të kryhen me përshpejtuesin LHC:

Eksperimenti është i rëndësishëm sepse do të testojë teoritë fizike mbi ndërtimin e lëndës dhe forcat në natyrë në përgjithësi, si edhe përllogaritjet e kryera me anë të këtyre teorive. Një nga këto teori është teoria kuantike e kuarkeve dhe gluoneve, ose kromodinamika kuantike. Nëse do ta përfytyronim protonin si një top të rrumbullakët, teoria përshkruan brendësinë e këtij topi me anë të kuarkeve dhe gluoneve. Eksperimenti do të testojë për herë të parë ekzistencën e kuarkeve dhe gluoneve në gjendjen plazmore të temperaturës së lartë. Kjo gjendje është parashikuar tashmë me anë të simulimeve të teorisë në superkompjuter të tipit Blue Gene, në bashkëpunime të ndryshme në Perëndim.

Kostoja e përgjithshme e projektit lëkundet midis 3.2 dhe 6.4 miliard euro.

Megjithë entuziazmin e fizikantëve anembanë botës për këtë mundësi të re që i jepet shkencës për t’iu afruar më tej së vërtetës, duhet thënë se publiku i ka pritur lajmet për përshpejtuesin LHC përgjithësisht me indiferencë. Shkaqet e kësaj indiference janë të shumta, mes të cilave duhet marrë parasysh edhe vështirësia e fizikantëve dhe e popullarizatorëve të shkencës për t’i shpjeguar në mënyrë tërheqëse dhe stimuluese eksperimentet që do të kryhen me anë të LHC, dhe rëndësinë e këtyre eksperimenteve për dijen, njerëzimin dhe teknologjinë.

Opinioni publik nuk e ka të lehtë të pranojë edhe pse duhen shpenzuar miliarda euro nga fondet publike për të provuar ekzistencën e një grimce hipotetike, ose për të testuar kromodinamikën kuantike; në një kohë që bota duket se ka nevojë për zgjidhje teknologjike të shpejta në fusha të tilla si energjia e gjelbër ose mjekimi i kancerit.

Sikur kjo të mos mjaftonte, nga anë të ndryshme janë shprehur edhe shqetësime se mos eksperimentet e kryera prodhojnë pa dashur ndonjë vrimë të zezë ose dukuri tjetër të ngjashme, e cila teorikisht mund të çonte në shkatërrimin e plotë të planetit, ose edhe të mbarë universit, për shkak të një çarjeje ose shqyerje të kohë-hapësirës.

Frika se mos përplasja e grimcave me energji të lartë mund të përftojë mikro-vrima të zeza nuk është krejt e pabazuar; por fizikantët e konsiderojnë një rrezik të tillë si të papërfillshëm, edhe pse fizika e vrimave të zeza nuk njihet mirë. Nga ana tjetër, ka edhe nga ata që besojnë se për rrezikun e përshpejtuesit LHC ka paralajmëruar, në kohën e vet, i madhi Nostradamus; me anë të kësaj katrine:

Migrés, migrés de Geneue trestous,

Saturne d’or en fer se changera,

Le contre Raypoz exterminera tous,

Auvant l’aruent le ciel signes fera.

Përkthimi i të cilës është disi i diskutueshëm, por në thelb është fjala për një thirrje të gjithëve për të ikur nga Gjeneva, meqë Saturni do të shndërrohet nga ari në hekur, dhe contre Raypoz do t’i shfarosë të gjithë, para se qielli të japë disa shenja.

Meqë askush nuk e di se ç’është pikërisht ky Raypoz, interpretuesit e kanë shpjeguar si ray(on) pos(itive), ose rreze protonesh, meqë këto grimca janë të ngarkuara pozitivisht; dhe contre Raypoz nuk janë veçse dy rreze të kundërta (contre) protonike që përplasen mes tyre.

U zgjata pak në këtë profeci të Nostradamusit, për të treguar si kjo mënyrë në thelb irracionale e të menduarit është më e kapshme sesa arsyetimet e fizikantëve për fizikën kuantike dhe eksperimentet përkatëse; meqë publiku nuk mund të eksitohet nga mundësia e zbulimit të bozonit Higgs, ose e ndriçimit të mekanizmit të thyerjes së simetrisë elektro-të dobët.

Në të vërtetë, jo vetëm publiku i sotëm është shushatur nga televizioni dhe e ka humbur disi interesin për fizikën si dije relativisht të pavarur nga aplikimet përkatëse në teknologji, por edhe vetë fizika moderne duket se është shndërruar në diçka të ngjashme me skolastikën mesjetare – meqë nuk ka një interpretim unik të rezultateve eksperimentale, në një kohë që teoritë e ndryshme në lëmin e kozmologjisë dhe të fizikës subatomike janë më tepër konstruksione matematike, sa elegante aq edhe të pashpjegueshme në raport me realitetin.

Nuk ka dyshim se përshpejtuesi LHC jo vetëm do t’u lejojë fizikantëve të kuptojnë më mirë si funksionon bota në nivelin subatomik, por edhe do të ndihmojë për një hop cilësor në lëmin teknologjik. Megjithatë, publiku i sotëm entuziazmohet më shumë nga pajisje të vogla utilitare të tipit i-Phone, të cilat zënë faqet e para të gazetave dhe minutat e para të emisioneve të lajmeve, në një kohë që LHC pritet pothuajse me armiqësi.

A duhet konsideruar kjo si shenjë se opinioni publik anembanë botës, por veçanërisht në vendet perëndimore, po vjen duke e humbur respektin dhe interesin për kërkimin shkencor të kulluar, ose përtej aplikimeve praktike të dobishme?

Nëse është kështu, atëherë rreziku për feedback negativ është real; sepse një publik i çinteresuar do të mbështetë gjithnjë e më pak financimin e projekteve të shtrenjta të tipit LHC; dhe shkencëtarët do të varen gjithnjë e më tepër, për fonde, nga korporatat; të cilat nga ana e tyre janë të interesuara për rezultate, ose teknologji dhe aplikacione, jo për shkencë të mirëfilltë dhe qasje ndaj të vërtetave kozmike.

P.S: Kjo eshte vetem pjesa e pare e nje eseje prej kater pjesesh. Vazhdimin mund ta lexoni ne lidhjet e meposhtme:

DIJE TE IMAGJINUARA (II)

DIJE TE IMAGJINUARA (III)

DIJE TE IMAGJINUARA (IV)

About these ads
Të etiketuara: