Mrekullia e ADN-se, dhe bizneset rreth saj.

Posted on Prill 3, 2008 nga

3



adn.jpgDeri para 50 vjetësh, shkencëtarët përpiqeshin të mësonin rreth kodit gjenetik të njeriut, ndërsa tani, studiuesit janë në gjendje të zbulojnë kodin gjenetik të një individi brenda pak orësh. Kjo arritje jo vetëm që u jep mundësinë mjekëve të gjejnë shkakun e shumë sëmundjeve, por edhe parashikon se nga çfarë sëmundjesh mund të preken ata në të ardhmen. Në Britani, kjo është një fushë që po bëhet gjithnjë e më popullore në testimet mjekësore.

Gjenet tona na bëjnë ata që jemi, të gjatë, të shkurtër, me flokë të zeza apo të kuqe. Ato janë bazat e formës sonë fizike dhe kanë ndikim të madh tek shëndeti ynë. Arritjet shkencore bëjnë të mundur tani shpërbërjen e ADN-së dhe ekzaminimin e sekuencës gjenetike për difekte të ndryshme që mund të çojnë në sëmundje si diabeti, probleme kardiovaskulare dhe distrofi muskulare.

Doktor Fred Kavalier është gjeneticist në një spital të Londrës. “Teknologjia për testimin e ADN-së e bën tani të mundur leximin më të shpejtë të sasive të mëdha të ADN-së.” Mbledhja e informacioneve nga gjenet tona nuk ndihmon vetëm mjekët për diagnostikimin e sëmundjeve, por i ka hapur rrugë edhe një biznesi në Britani.

Njerëzit gjithnjë e më tepër po u kthehen kompanive të tilla si Shëndeti Gjenetik në Londër për të marrë një analizë personale të sekuencës së tyre gjenetike dhe vlerësim të problemeve mjekësore që mund të kenë në të ardhmen. Një mostër pështyme mjafton për të marrë ADN-në që duhet për analiza. Brian Whitley është drejtori i kompanisë Shëndeti Gjenetik. “Ne u japim njerëzve një raport 50 faqesh që i njeh ata jo vetëm me të dhënat klinike të momentit, por edhe të dhënat që kemi nxjerrë ne në lidhje me rreziqet që mund të kenë ata në të ardhmen dhe si t’i shmangin ato.”

Disa kompani dërgojnë mjetet për marrjen e pështymës tek klienti me postë dhe pastaj u kthejnë atyre raportin. Ndërsa, disa të tjera preferojnë t’i takojnë klientët e tyre. “Ne i vëmë rezultatet në kontekstin e historisë së tyre mjekësore, dhe nuk i lëmë ata thjesht me një raport në dorë. Ata mund të kthehen dhe të na bëjnë pyetje të tjera dhe të bëjnë edhe kërkimet e tyre, por ne mund t’i ndihmojmë me koncepte ushtrimesh dhe informacione për dietën, në varësi të interesit të tyre.”

Megjithatë, komuniteti shkencor britanik është i shqetësuar sepse, megjithëse studimi i gjeneve tona po përparon, mbeten ende shumë të panjohura për të bërë një analizë të përshtatshme. Doktor Fred Kavalier është zëdhënës i Shoqërisë Britanike të Gjenetikës Njerëzore. “Ne nuk kemi njohuri të mjaftueshme për të gjitha gjenet që janë pjesë e sëmundjeve. Ne njohim disa nga këto gjene, megjithëse ka ndoshta mijëra të tjerë që kanë ndikim. Ёshtë sikurse të shohësh disa letra bixhozi nga një kuti dhe të arrish në një përfundim për të gjithë kutinë.” Doktor Kavalier shqetësohet se njerëzit mund të ndërmarrin masa të panevojshme nëse u thuhet se kanë një rrezik të vogël sëmundjesh ose mund të shqetësohen pa shkak. Analiza e profilit gjenetik kushton mes një mijë dhe dy mijë dollarëve. Megjithëse disa thonë se kjo është shumë e madhe për t’u paguar për informacione që, në fund të fundit, nuk mund ta ndryshojnë fatin e një njeriu, të tjerë thonë se të dish se çfarë mund të ndodhë në jetën tënde në të ardhmen ka një vlerë të jashtëzakonshme.
Marre nga: VOA news

Të etiketuara: , ,