Një nga sekretet e leuçemisë

Posted on Janar 1, 2009 nga

1



Një ekip italian ka zbuluar një molekulë që i bën të pavdekshme qelizat staminale të kancerit.

Rriten të pashqetësuara, të pavdekshme, i bëjnë shpesh të pashërueshëm tumoret. Tani sekreti i forcës së qelizave staminale të kancerit – baza dhe burimi i pashtershëm i sëmundjes- është zbuluar nga një grup shkencëtarësh italianë, të cilët kanë gjetur në një molekulë të veçantë atë që mund të bëhet objektivi i sulmeve farmaceutike të kërkuar aq gjatë për të çrrënjosur tumoret që në bazë, duke asgjësuar qelizat kryesore.

Duke studiuar një lloj të veçantë të leuçemisë (mieloide acuta), ekipi i drejtuar nga Pier Giuseppe Pelicci, Drejtues Shkencor në Dipartimentin e Onkologjisë Eksperimentale të Institutit Europian të Onkologjisë, në bashkëpunim me Universitetin e Milanos dhe të Perugia-s, duket sikur kanë gjetur një mënyrë për të çrrënjosur përfundimisht kancerin duke e sulmuar që në origjinë.

Në një artikull të publikuar tek Nature, shkencëtarët japin një shpjegim për pavdekshmërinë e qelizave staminale të kancerit: gjithçka fshihet tek “P21”, një proteinë e ciklit qelizor që bllokon përkohësisht shumëzimin e atyre lloj qelizave dhe kështu ju jep kohë atyre që të riparojnë DNA-në e tyre më parë se të rifillojnë të prodhojnë qeliza të tjera të tumorit.

Duke sulmuar “P21” në qelizat staminale të leuçemisë, ekipi shkencor arriti që t’i bënte “të vdekshme”, pa “P21” qelizat filluan të grumbullonin defekte në gjenomën e tyre duke humbur kështu aftësitë e pavdekshmërisë, dhe me vdekjen e tyre vdes dhe i tërë tumori.
Në dhjetëvjeçarët e fundit onkologjia ka bërë hapa të rëndësishëm, duke gjetur ilaçe për të sulmuar shumë tumore, por problemi është se në shumë raste kjo nuk mjafton, sepse nganjëherë tumori rikthehet edhe më agresiv se më parë. Është zbuluar se kjo varet nga fakti se, në dhjetëra milionë të qelizave të tumorit që terapitë shpesh arrijnë të asgjësojnë, ngelen të fshehura një grup i qelizave staminale të sëmundjes. Këto qeliza, edhe pse të pakta në numër në krahasim me masën e tumorit të asgjësuar, ngelen si serbator dhe janë në gjendje të prodhojnë vazhdimisht qeliza të tjera të sëmundjes. Këto nuk influencohen nga ilaçet onkologjike që përdoren deri më sot, sepse këto ilaçe janë aktivë vetëm ndaj qelizave që riprodhohen shpejt si ato të tumorit, ndërsa staminalet e tumorit riprodhohen shumë ngadalë dhe kështu ju shpëtojnë terapisë.

Ekipi italian vuri re se ngadalësia me të cilën qelizat staminale të kancerit riprodhoheshin ishte shpëtimi i tyre edhe për një arsye tjetër, sepse ju siguronte atyre kohën për të “bërë revizionin” e gjenomës së tyre. Proteina “P21” , praktikisht ju bën atyre një  “pit stop” gjatë të cilit ato riparojnë DNA-në e tyre. Pa këto pushime, qelizat staminale do të grumbullonin defekte gjenetike  që do t’i bënin të plakeshin dhe të vdisnin ashtu si gjithë qelizat e tjera.

“Zbulimi ynë – ka komentuar Pelicci – përcakton një metodë për të eliminuar qelizat staminale të kancerit: iu bllokon atyre sistemin e riparimit të gjenomës. Në këtë mënyrë këto qeliza grumbullojnë dëmin gjenomik, plaken dhe vdesin, ashtu siç bëjnë zakonisht dhe qelizat e tjera staminale të trupit tonë. Ilaçe të reja që pengojnë riparimin e DNA-së së tyre po hedhin hapat e parë në eksperimentet klinike tek njeriu. Në 5-10 vjetët e ardhshëm mund të dimë më me saktësi se sa të rëndësishëm janë në luftën kundër tumoreve”

La Reppublica

Advertisements