Një satelit për të kontrolluar efektin serrë

Posted on Janar 25, 2009 nga

1



Çdo tre ditë, për pesë vjet, do të dërgojë të dhënat mbi nivelin e dioksidit të karbonit dhe metanit nga 56 mijë pika kontrolli në gjithë botën.

Çasti i lëshimit të raketës nga
baza e Tanegashima-s


Japoni- Është sateliti i parë në botë që lëshohet në hapësirë për të matur gazrat që shkaktojnë efektin serrë. E ka lëshuar Japonia, është një raketë H-2A që bashkë me satelitin kryesor “Ibuki” do të nxjerrë në hapësirë dhe shtatë satelite më të vegjël.

Quhet “Ibuki” (”gjallëri” në gjuhën japoneze) dhe është prodhuar nga  Mitsubishi Heavy Industries me një çmim prej 159 milionë dollarësh. Do ndihmojë shkencëtarët që të llogarisin dendesine e dioksidit të karbonit dhe metanit që vjen nga çdo pikë e Tokës: 56 mijë pika të tilla kontrolli, ku përfshihen dhe atmosfera sipër deteve e oqeaneve dhe ajo e Vendeve në Zhvillim, për të cilat sot nuk mund të kemi të dhëna të sakta për vëllimin e lëshimit të gazrave të tilla.

“Ibuki”,  do qëndrojë në orbitë, në një lartësi prej 666 kilometrash, nga ku, me dy sensorë do të bëjë regjistrimin e të dhënave çdo tre ditë për pesë vjet rresht.
“Është e rëndësishme që të njihet më mirë dhe të kontrollohet përqendrimi i këtyre gazrave, për të kërkuar që të parandalojmë rrjedhojat e shtimit të tij, që në vitet e ardhshme mund të jetë me përmasa katastrofale për ambientin”- shpjegojnë  nga Jaxa, agjencia aerospaciale japoneze.