Një mënyrë e re për prodhimin e qelizave staminale

Posted on Mars 4, 2009 nga

1



Një grup kërkuesish ka njoftuar dje që ka gjetur një mënyrë më të sigurtë për të transformuar qeliza normale të lëkurës në qeliza staminale. Me këtë mënyrë nuk do të jetë më e nevojshme që të kërkohen qelizat staminale vetëm tek embrionet umane.

Është hera e parë që shkencëtarët kanë transformuar qeliza të lëkurës në qeliza të fuqishme staminale ose qeliza iPs (Induced Pluripotent Stem Cells – IPS), që  veprojnë si qelizat staminale të embrioneve e pa patur nevojë për përdorimin e viruseve gjatë proçesit.

Mënyra e re lejon edhe të hiqen këto qeliza pasi kanë vënë në funksionim mekanizmin e rigjenerimit të qelizave.

Qelizat staminale janë qelizat kryesore të trupit, të cilat prodhojnë qelizat për organet dhe membranat e tij.

Qelizat staminale të embrioneve janë më të fuqishmet, sepse kanë aftësinë të krijojnë çfardolloj qelize për të gjitha  organet e trupit të njeriut. Por, duke parë dhe kundërshtimin që i bëhet përdorimit të këtyre lloj qelizave (sidomos marrjes së tyre nga embrionet humane), i bën qelizat iPs një alternativë mjaft të rëndësishme, pasi edhe këto mund të përdoren me mjaft siguri.

Studiuesit e dinë prej kohësh që qelizat e lëkurës mund të transformohen në iPs duke përdorur disa gjene nëpërmjet futjes në to të disa viruseve, por që futja e këtyre viruseve  mund të shkaktonte sëmundje të tjera kancerogjene. Studime për këtë janë bërë e publikuar nga profesor Shinya Yamanaka i universitetit të Tokios
Mënyra alternative e përshkruar në revistën Nature (Mars 2009) nga dy skuadra studiuesish britanikë e nga Kanadaja, duket që e ka evituar një anomali të tillë.

Studiuesit kanë përdorur një segment të vogël të dna-së të quajtur transposone, të njohur si “gjeni që kërcen” për shkak të aftësisë që ky ka për të lëvizur brënda kodit gjenetik, për të transportuar katër gjene.

“Është një hap konkret drejt përdorimit të qelizave të riprogramuara në mjekësi, ndoshta dhe eliminimit të nevojës së embrioneve humane si burim të qelizave staminale”, thotë  Keisuke Kaji i Medical Research Council (MRC) Centre for Regenerative Medicine të Edimburgut bashkë me Andras Nagy të University of Toronto,të cilët kanë përdorur teknikat e tyre si në kaviet e laboratoritashtu dhe në qelizat e lëkurës së njeriut, duke parë që këto qeliza të riprogramuara sillen njëlloj si qelizat staminale të marra nga embrionet humane.